Osmani i përgjigjet Nasim Haradinajt për Specialen: Po dezinformon

Deputetja Vjosa Osmani ka hedhur poshtë deklaratat e sekretarit të OVL-së, Nasim Haradinaj, i cili tha se ka biseduar me deputetët e LDK-së dhe se ata janë pro shfuqizimit të Gjykatës Speciale
Deputetja Vjosa Osmani ka thënë për Gazetën Express së nuk ka asgjë të vërtetë rreth asaj që ka thënë Haradinaj dhe se Lidhja Demokratike në mënyrë unike kundërshton shfuqizimin e Speciales.

“Kjo është dezinformoftë. LDK është unike në qëndrimin e saj për ta kundërshtuar këtë nismë, e cila dëmton sovranitetin e vendit dhe miqësinë me partnerët bashkë me të cilët ndërtuam shtetin”, ka thënë Osmani për Gazetën Express.

Ndërsa Nasim Haradinaj në një emision televiziv tha të kundërtën e asaj që vazhdojnë ta deklarojnë deputetët e LDK’së. Ai tha se ka biseduar me secilin deputet dhe ata të LDK’së dhe se më e pakta disa prej tyre do të abstenojnë ndërsa shtatë prej tyre edhe do të votojnë pro shfuqizimit të Speciales.

“Po them se do të bëhet kuorumi dhe pres që brenda muajit do të përfundohet kjo çështje. Kemi biseduar me secilin deputet, kemi deputet edhe në LDK që në minimum do të abstenojnë, nëse nuk votojnë pro… Ka njerëz në LDK që do të abstenojnë dhe ka edhe të atillë që do të votojnë pro. Ka ndodhur një keqkuptim, atë natë kur u thirr mbledhja e kryesisë kanë pasur të votojnë 7 deputetë të LDK-së që do të votonin pro”, u shpreh Haradinaj në TV Dukagjini.

Kur krejt historia e zhbërjes së kësaj gjykate filloi, i pari Nasim Haradinaj hyri në një luftë verbale me deputetët e LDK’së. Kjo sepse ai në një emision televiziv tha “punë e madhe që janë vrarë njerëzit e LDK’së”. Pas kësaj, vërshuan fyerjet që i bëheshin Haradinajt nga zyrtarë të LDK’së. /Express/