Prokurori i suspenduar: Ma futën kepën, edhe tre muaj pensionohem

“Unë më herët i kam bërë publike dy letra që kam kallxu për këtë rast, do keqpërdorime për këtë edhe ma kanë fut kepën e qashtu shkon rregull këtu te na”, ka thënë Rexha.

Rexha ka thënë se po i hakmerren për shkak se nisi hetime për konflikt interesi ndaj tre zyrtarëve të sistemit të drejtësisë.

 “Jam suspenduar se i kam hapur hetimet për konflikt interesi. Këta po thonë që ti nuk është dashur me u marrë me atë lëndë me arsyetimin se ke pas konflikt.

“Ankesa ime është turp, turp, marre, dhe krim. Unë tash do të drejtohem në Këshill Prokurorial ku edhe çdo ditë jam asajde. Por, unë si prokurorë nuk kthehem se edhe 3 muaj dal në pension”, është shprehur Rexha për “Indeksonline”.

Ali Rexha është suspenduar nga puna si Prokuror Special. Vendimi i është bërë i ditur sot pasi nuk është lejuar të hyjë në Prokurori. Pezullimi nga puna ka ardhur pasi kishte nisur hetimin e dy kolegëve të tij për konflikt interesi. Kohë më parë, Rexha kishte bërë edhe denoncime tjera për kolegët. Në një rast kishte thënë se ka udhëheqës të Prokurorisë që ngucin gra të huaja.

Komisioni Disiplinor i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) ka suspenduar nga puna prokurorin e Prokurorisë Speciale, Ali Rexha i cili këtë javë kishte konfirmuar për KTV-në nisjen e hetimeve parapenale për zëvendëskryeprokuroren e Shtetit, Sevdije Morina dhe kryeprokurorin e Gjilanit, Jetish Maloku.

Ali Rexha, një Prokuror Special brenda një periudhe njëvjeçare i kishte shkruar dy Letra me akuza të renda në drejtim të kolegëve të tij.

Në letrën e dytë, Rexha, ka thënë se posedon fakte se shefat në sistemin prokurorial po keqpërdorin pozitën e tyre zyrtare me gra të huaja. Ka thënë se ata po bëjnë sjellje donzhaneske. Nuk ka dhënë emra por është shprehur i gatshëm të dëshmojë.
Më 12 korrik të vitit 2016, Prokurori Special, Ali Rexha, kishte shkruar një letër të gjatë në adresë të të gjithë kolegëve të tij. Ishte ankuar se nuk po avancohej dhe po keqtrajtohej për shkak se po “punon shumë”.

Për shkak të akuzave që kishte bërë në Letrën e parë, Rexha ishte denocnuar dhe nxjerr para Zyrës së Prokurorit Disiplinor si i paraqitur. Seanca e parë ndaj tij ishte mbajtur më 13 prill të vitit 2017. Pra, seanca e parë ndaj tij ishte mbajtur 9 muaj pasi e kishte shkruar Letrën e parë, shkruan Gazeta Express.

“Kam prova se këta menaxherë në orar zyrtar, në hapësira zyrtare apo publike, bëjnë sjellje donzhuaneske me gra të huaja. Ky gjest është sjellje e skajshme primitive. Kjo është keqpërdorim më primitiv i detyrës zyrtare”, shkruante më tej Rexha, në pikën 10 të akuzave të tij në adresë së udhëheqësve.

/gazetaexpress/