Ramush Haradinajt i refuzohet viza për Amerikë

Lajm, që është i afërt me zyrtarë të lartë të PDK’së, raporton që kryeministrit Ramush Haradinaj dhe bashkëshortes së tij i është refuzuar viza amerikane. Këto burime, sipas Lajm, thonë se Haradinaj e ka marrë “negativ” kërkesën që në fillim të muajit shkurt të udhëtojë për në SHBA.
“Kryeministri dhe bashkëshortja e tij do të merrnin pjesë në Mëngjesin e Lutjeve që çdo 4 shkurt mbahet në Uashington, megjithatë çuditërisht viza i është refuzuar”, ka thënë një burim i lajmi.net.

Përveç pjesëmarrjes në Lutjet e Mëngjesit, Haradinaj do të vizitonte edhe shtetin amerikan të Iowa-s, me të cilin Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyeshme, sidomos në fushën e sigurisë.

Ftesat për Lutjet e Mëngjesit i bën Komiteti Pritës i Kongresit amerikan. Lutjet fillojnë në orën 7 e 30 të mëngjesit.
Lajmi.net ka provuar të flas me shefin e kabinetit të Haradinajt, Avni Arifin, si dhe drejtorin e Zyrës për media në kryeministri, Halil Matoshin, mirëpo kontakti më ta ka qenë i pamundur.

Çdo vit, presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe anëtarë të Kongresit iu bashkohen zyrtarëve të tjerë të qeverisë, udhëheqësve nga anë e mbanë Shtetet e Bashkuara, komunitetit diplomatik, dhe miqve si ju nga më shumë se 130 vende të botës për t’i ndarë përvojat në frymën e miqësisë nëpërmjet lutjes dhe falënderimit.

Vitin e kaluar, pikërisht në këtë kohë, bashkëshortja e Haradinajt, Anita, kishte bërë të ditur se kishin marrë vizat për SHBA, megjithatë kryeministrit aso kohe mbahej në Francë sipas një fletarresti të lëshuar nga Serbia.

Në Lutjet e Mëngjesit vitin e kaluar ka marrë pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Në këtë ceremoni, Veseli ishte takuar edhe me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump.

Po ashtu, viteve të kaluara në këtë ceremoni kanë shkuar edhe deputetë dhe zyrtarë tjerë shtetërorë të Kosovës, duke mos iu refuzuar askujt viza.
/gazetaexpress/